Ballina Flash

Thaçi takon Vuçiç me ndërmjetësimin e Macron

PRISHTINË, 12 nëntor/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në Forumin e Paqes që po mbahet në Paris. Lidhur me takimin e zhvilluar sot në Paris, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Presidenti i Francës, Emanuel Macron, tha se temë diskutimi në takim ishte interesimi i Macronit për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për një përmbyllje të njohjes reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

“Takimi ka ndodhur mes dy vendeve që kanë pasur luftë dhe qëllimi është për të mbyllur plagët e luftës”, – citoi Thaçi fjalët e presidentit francez.

Në një intervistë për RTK, ai ka deklaruar se propaganda dhe veprimet destruktive të Serbisë nuk ndalen, ndërsa për deklarimet e fundit të Beogradit për tërheqje të njohjes nga Gana, Thaçi tha se nuk ka asnjë informatë zyrtare për tërheqje, kurse nga institucionet e vendit është njoftuar se kjo është një deklaratë e pavërtetë e Beogradit.

Në lidhje me çështjen e të pagjeturve, të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Presidenti tha se gjithë bota e di që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se tema e të pagjeturve shqiptarë dhe të tjerëve, mbetet çështje që duhet zgjidhur dhe shtruar në të gjitha takimet që do të kenë, për të zbardhur fatin e tyre.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Forumit të Paqes të Parisit ka takuar edhe presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer.

Me Maurer, Kreu i Shtetit ka biseduar për rolin e KNKK-së në zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur në Kosovë.

Thaçi ka theksuar se çështja e të pagjeturve është plaga më e madhe e mbetur hapur që nga lufta.

“Duhet gjetur zgjidhje të menjëhershme për të gjithë personat e pagjetur”, ka thënë Presidenti Thaçi. 

Ai ka shtuar se kjo është çështje humanitare dhe nuk duhet të politizohet. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali: Vijon zgjedhja e bashkëkryetarëve të organizatave socialiste bazuar në nismën “Edhe një”
Artikulli tjetërNegociatat/ Eksperti amerikan: Vendet e BE-së duhet të ndjehen të turpëruara që nuk mbajtën premtimin