Ballina Flash

Rilindja spektakolare e Parkut Kombëtar të Divjakës

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/- Peizazhi magjepsës, ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli mund të shijohet në Parkun Kombëtar të Divjakës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga transformimi i këtij parku, që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga rilindja spektakolare e Parkut Kombëtar të Divjakës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në malin e Tomorit.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta takon Macron: Bashkëpunimi me Francën, i rëndësishëm për të ardhmen europiane
Artikulli tjetërGREQI – Shtohen incidentet raciste e ksenofobe kundër migrantëve