PRISHTINË, 11 nëntor/ATSH/ Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), që prej njëzet vjetësh është përpjekur të ndihmojë të mbijetuarat e torturave, në veçanti të mbijetuarat e dhunës seksuale nga koha e Luftës, me qëllim që t’u ofrojë shërbime rehabilituese, mjekësore dhe psiko-sociale.
Në 20-vjetorin e themelimit të saj, QKRMT organizoi një konferencë përmes të cilës kërkuan drejtësi për viktimat, ndërsa përmes kontributit të folësve të pranishëm u kërkua përmirësimi i jetës së të mbijetuarave të dhunës seksuale brenda dhe jashtë Kosovës.
Themeluesja dhe drejtoresha ekzekutive e QKRMT, Feride Rushiti, tha se duke parë rrethanat e viktimave të luftës, 20 vite më parë themeluan këtë qendër për t’u dalë në ndihmë këtyre viktimave, me shpresë që kjo organizatë të rikthente shpresën për të mbijetuarit që ata të vazhdonin përsëri jetën dhe të merrnin shërbimet e nevojshme rehabilituese.

“Në të vërtetë dhuna seksuale gjatë luftës ka qenë krimi më pak i raportuar dhe njëkohësisht duhet të themi krimi më pak i dënuar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë dhe kjo ka bërë që të mbrohen autorët e krimit”, – deklaroi ajo.
Arritja më e madhe për organizatën që drejton, sipas saj, ka qenë kur u bë njohja ligjore e këtyre grave, duke shtuar se Qendra Kosovare në vazhdimësi do të lobojë fuqishëm që jeta dhe mirëqenia e të mbijetuarave seksuale të jetë në nivelin e duhur.
Gjinekologu dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, njëherazi edhe laureat i çmimit Nobel për Paqe për vitin e kaluar, Denis Mukwege, tha se përgëzon shtetin kosovar për mbështetjen që u ofron grave të dhunuara dhe se strategjia e tyre synon që ta shndërrojnë vuajtjen dhe dhimbjen në forcë. Sipas tij, gratë e vuajtura mund të bëhen lidere të komunitetit dhe të jenë të dobishme jo vetëm për veten, por edhe për shoqërinë si tërësi.

“Dëshiroj të përshëndes me respekt mbështetjen për të mbijetuarit, por gjithashtu përpjekjet tuaja për mbrojtje, të cilat kanë kontribuar në njohjen e statusit të tyre dhe veçanërisht përmes amendamentit të ligjit të vitit 2014 i cili mundëson që nga viti 2018 dhënien e dëmshpërblimeve”, – tha Mukwege.
Ai shtoi se përdhunimi në luftë është përdorur për spastrim etnik, përmes torturave dhe vuajtjeve kanë synuar të detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre. Sipas fituesit të çmimit Nobel për Paqe, “përdhunim” do të thotë të konsiderosh njeriun si “objekt” e jo si “qenie njerëzore”.
Drejtoresha e fondacionit “Esther Dingemans” tha se, fondacioni i tyre është krijuar për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale, sipas saj për dhunën seksuale nuk është folur shumë, sepse viktimat janë ndier në faj dhe shpreson që sot e tutje të flitet më shumë, në mënyrë që fajtorët të marrin dënimin e duhur.

“Kosova është një nga vendet e para në botë që ka krijuar një mekanizëm të duhur për të ndihmuar për përjetimet dhe pasojat që kanë pasur të dëmtuarat e dhunës seksuale në luftë, do të thotë ky fond ka inspiruar edhe për avokimin për të gjitha viktimat e dhunës seksuale anë e kënd botës”, – tha ajo.
Ajo tha se duhet të flasim për hollësirat, sepse sipas tij nëse nuk i nxjerrim këto detaje dhe futemi në heshtje, atëherë dhunimi e shkatërron edhe më shumë jetën e këtyre grave.
Të pranishme ishin edhe disa gra të mbijetuara të dhunës seksuale si: Dalal Ali Khairo, Mer Ayang, Vasfije Krasniqi – Goodman, të cilat shpalosën edhe një herë përvojat e tyre të hidhura./KosovaPress/












