PRISHTINË, 30 tetor/ATSH/ Në kuadër të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim (PKZMSA) të Kosovës me Bashkimin Europian, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka ndërmarrë një studim për zbatimin e ligjit të barazisë gjinore në Kosovë.
Ky projekt zhvillohet me mbështetjen e Ambasadës norvegjeze në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Raporti mbi këtë studim ka arritur në konkluzionin se zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore mbetet sfidë për Kosovën, prandaj qeveria e re duhet ta marrë parasysh barazinë gjinore.
Drejtoresha e Programit në KIPRED, Ariana Qosaj-Mustafa tha se është e domosdoshme që perspektiva gjinore të jetë pjesë në secilin dokument që harton Qeveria e Kosovës. Sipas saj, ligji për barazi gjinore duhet të gjejë zbatim, e jo të miratohet vetëm sa për ta pasur. Ajo tha se në bazë të hulumtimit ka rënie të vëmendjes sa i takon respektimit të barazisë gjinore.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jens Erik Grondahl, teksa kërkoi më shumë përkushtim institucional për zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, tha se ky aspekt është kyç për Bashkimin Europian.
Ndërsa, zyrtarja për politika në Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë, Maria Berishaj-Sylejmani tha se zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë mbetet sfidë, dhe se për këtë arsye gjinia femërore është pak e përfaqësuar në politikat lokale dhe qendrore. Sipas saj, në këtë drejtim deri tani është parë një reagim i dobët, ndërsa pret nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që barazinë gjinore ta ketë prioritet të saj.
Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Europiane, Kushtrim Cukaj deklaroi se si ministri i kanë dhënë hapësirë të veçantë perspektivës gjinore. Ai pret që institucionet e reja të Kosovës ta marrin me më prioritet trajtimin e kësaj çështje.
Studimi rreth analizës gjinore të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes mbi Stabilizim-Asociim të Kosovës me Bashkimin Europian ka treguar më tej probleme të vazhdueshme në kapacitete dhe njohuri themelore në lidhje me barazinë gjinore nëpër institucione.
Këto mungesa të kapaciteteve sipas hulumtimit përfshijnë mungesë njohurish mbi kërkesat LBGJ dhe PKZMSA që kanë të bëjnë me integrimin gjinor dhe barazinë gjinore, por edhe gjithashtu njohuri shumë të ulëta në kërkesat lidhur me gjininë dhe çështjet e barazisë gjinore brenda sektorëve të punës.
Studimi po ashtu ka treguar se barazia gjinore, integrimi gjinor dhe parimet e barabarta të përfaqësimit janë vazhdimisht duke lënë pas dore gjatë gjithë procesit të rishikimit dhe hartimit të MSA-së së re dhe miratimit të planeve të reja të veprimit të PKZMSA-së. /KosovaPress/





















