TIRANË, 28 tetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj kërkoi sot në Kuvend, që në ofrimin e shërbimeve të ndryshme për banorët e Tropojës, të merret në konsideratë distanca që ata duhet të përshkojnë, që bëhet akoma më e vështirë në stinën e dimrit.
Gjatë seancës së posaçme plenare në Kuvend, Beqaj solli evidentoi distancën jo të vogël të Tropojës me disa institucione që ndodhen në qendrën e qarkut në Kukës apo në qytetet ku janë selitë e drejtorive rajonale të bujqësisë, arsimit apo shëndetësisë, në Lezhë ose në Shkodër.
“Për rrjedhojë sjellin shpenzime në para dhe kohë për të lëvizur. Për më tepër që në stinën e dimrit moti e bën të vështirë qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve. Nga Bajram Curri në Kukës janë dy orë rrugë. Nga Bajram Curri në Lezhë janë 3 orë rrugë. Nga Bajram Curri në Shkodër janë 4 orë rrugë”, tha ai.
Beqaj shtoi se në fund të vitit 2019 një pjesë e mirë e dokumentacionit arkivor të zyrës së Kadastrës së Tropojës do të transferohet në Kukës, ndaj kërkoi që Agjencia Kombëtare e Kadastrës të rivlerësojë strategjinë e vet të rajonalizimit edhe në bazë të distancave që duhet të përshkruajnë qytetarët.
“Për nevoja të pajisjes me dokumente me vulë apostile qytetarët duhet të udhëtojnë për në Kukës. Do të duhet të merret në konsideratë që kjo vulë e veçantë të jetë disponibël në Tropojë. Pajisja me NIPT të fermerit është e komplikuar dhe kërkon kohë. Fermerit nga Tropoja i duhet të shkojë në Kukës dhe, së fundmi, mund t’i duhet të shkojë edhe në Lezhë, ku është zyra e rajonit të veriut për bujqësinë”, tha ai.
Beqaj evidentoi edhe problematikat me rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, që është tejet i amortizuar, duke kërkuar ndërhyrjen e OSHEE-së.
Në sistemin shëndetësor, Beqaj tha se “ka mungesë të theksuar të personelit mjekësor infermieror, ndërkohë që për konsulta të specializuara mjekësore të sëmurë kronikë me zemër, tension, diabet, sëmundje të veshkave etj. të Tropojës duhet të shkojnë në spitalin rajonal të Kukësit.
Ai kërkoi që sipas një kalendari të paracaktuar mjekët e spitalit rajonal të Kukësit të jenë prezent në spitalin e Tropojës.
“Në nëntor 2018, në procesin e diskutimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2019 u diskutua nevoja u vendosjes së urave Bailey. Për këtë u caktua një fond jo i vogël në programin buxhetor të emergjencave. Në Bashkinë e Tropopjës ende nuk nuk ka filluar vendosja e ndonjë ure. Dhe me ç’duket deri në fund të këtij viti nuk do të ketë plotësim të kësaj kërkese. Qeveria ta përfshijë në buxhetin e vitit 2020 meqë është në fazën e përgatitjes së projektbuxhetit”, tha ai. /j.p/












