TIRANË, 25 tetor/ATSH/ I kthyer tashmë në traditë, “Një muaj, një bashki”, prefektët e Shqipërisë kanë vizituar qytetin e Elbasanit, ku mikpritës ka qenë kryetari i bashkisë Gledian Llatja.
Pasi ka bërë një përmbledhje të investimeve të kryera në bashkinë e Elbasanit, Llatja shprehu ambiciet e tij, në drejtim të zhvillimit të turizmit.
Në vizitën e tyre në Elbasan prefektët do të ndalen te Muzeu Etnografik, kalaja e Elbasanit dhe kisha e Shelcanit. Ata vlerësuan ndryshimet e mëdha që ka pësuar Elbasani ndër vite, ndërsa kanë shprehur interes në lidhje me investimet dhe projektet që bashkia e Elbasanit ka për të vijuar më tej me ndryshimet e mëdha.
Duke u njohur me stadiumin e parë në vend të standardeve europiane si “Elbasan Arena” prefektët kishin interes rreth ecurisë së klubit të futbollit. Në vlerësimin e tyre për Elbasanin ishte më së shumti një nga zonat me potencial të madh në Elbasan, llixhat me ujërat termale të jashtëzakonshme në Tregan. /m.s/z.t/ /a.g/























