Tiranë, 21 tetor/ATSH/ Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), me aderimin e vendit në kuadrin gjithëpërfshirës, si dhe BEPS (erozioni i bazës së tatueshme dhe shmangia e fitimit) do të ofrojë asistencë për Shqipërinë në fushën e taksimit ndërkombëtar.
Kjo u konfirmua gjatë takimit që zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi zhvilloi me drejtorin e Qendrës për Politikat e Taksave dhe Administrimit në OECD, Pascal Saint – Amans, në kuadër të takimit vjetor me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, në Uashington.
“I kërkova asistencë në rishikimin e marrëveshjeve për shmangien e taksimit të dyfishtë, si dhe udhëzime për trajtimin tatimor të platformave elektronike siç janë booking.com, AirBnb, etj, me qëllim ndjekjen e praktikave më të mira ndërkombëtare”, u shpreh Haxhi, në përfundim të këtij takimi.
Nga ana e tij, Pascal Saint – Amans konfirmoi një program asistence nga OECD dhe kërkoi që administrata fiskale shqiptare të ndjekë zhvillimet e fundit në fushën e taksimit të ekonomisë dixhitale.
/a.gjonaj/ /a.g/






















