Ballina Aktualitet

“Dita Kombëtare e Jetimëve”, Meta: Prioritet kujdesi ndaj tyre

TIRANË, 19 Maj/ATSH/.- “Që kur kam marrë detyrën si President i Republikës e kam bërë të qartë që kujdesi ndaj fëmijëve jetimë do të jetë prioritar. Ju me të drejtë keni sjellë me vete edhe sloganin ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’. Besoj që kjo është një gjetje shumë domethënëse dhe e mençur”.

Kështu u shpreh presidenti Ilir Meta në një pritje të organizuar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, me fëmijë dhe të rinj jetimë, në kuadër të 20 majit, “Dita Kombëtare e Jetimëve”.

Presidenti Meta zhvilloi një bisedë të ngrohtë me fëmijët dhe të rinjtë e pranishëm, duke ju shprehur mbështetjen e tij të pakursyer, teksa vlerësoi edhe sloganin që kishin zgjedhur: ‘Shqipëria pa jetimë edhe më pranë BE-së’.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta u shpreh se “ne në fakt kemi qenë një komb jetim për një kohë të gjatë derisa kemi gjetur veten dhe besoj se tani nuk jemi një komb i tillë, jemi një komb shumë më i sigurt për të ardhmen e tij. Jemi anëtarë në NATO, jemi pranë Bashkimit Europian dhe shpresojmë të anëtarësohemi në Bashkimin Europian”.

Natyrisht, vijoi ai, që BE ka parime shumë të rëndësishme demokratike, shoqërore, njerëzore, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me integrimin shoqëror dhe me detyrimin e shoqërisë për t’u kujdesur për çdo individ, aq më tepër për çdo fëmijë.

Kreu i shtetit tha se “puna që është bërë gjatë këtyre viteve në mbështetjen dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë ka qenë një punë e mirë, me përkushtim, me modele shumë pozitive, të cilat tregojnë që ne jemi një shoqëri që po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi sociale por që ka ende nevojë ta forcojë këtë dimension social dhe njerëzor”.

Sigurisht, shtoi ai, që duhet të marrim më shumë përgjegjësi për të krijuar një ambient më të sigurt, më frymëzues e më angazhues për të rinjtë e për fëmijët që ëndrrat e tyre t’i shohin të realizueshme pikërisht në këtë mjedis.

“Vështirësitë apo mungesat që ju keni pasur në jetë unë besoj se ua kanë forcuar edhe më shumë lidhjen edhe me njëri-tjetrin, me edukatoret e me të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm të cilët kujdesen për ju”, tha Meta.

Presidenti u tha fëmiëjve se është pranë tyre për çdo aktivitet, mbështetje, promovim, apo ndërgjegjësim me çdo institucion shtetëror apo vendor për gjithçka që ata të kenë nevojë. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu inspektim të befasishëm në spitalin e Durrësit
Artikulli tjetërZyra e Ndihmës Ligjore, nga qershori edhe avokat falas