PRISHTINE, 6 tetor/ATSH/-Proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor është duke u zhvilluar edhe në komunën e Gjakovës.
Sipas prokurores e cila po vëzhgon procesin në këtë komunë, Mona Sylaj, procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull dhe pa asnjë problem në përjashtim të një rasti.
Rasti në fjalë ka të bëjë me konfrontimin e dy komisionarëve të subjekteve të ndryshme, por Sylaj nuk ka dhënë më shumë detaje.
Ndërsa menaxheri i Qendrës së votimit në shkollën e Skivijanit, Shefqet Dina u shpreh se procesi zgjedhor në këtë qendër është duke shkuar në rregull dhe se votuesit janë treguar korrekt sa i përket këtij procesi zgjedhor. Ndërsa qytetarët të cilët e shfrytëzuan të drejtën për të votuar, shprehen se presin ndryshime pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Po ashtu proces i rregull është duke u zhvilluar edhe në Qendrën e vendvotimit në shkollën “Mustafa Bakia”. Menaxherja e kësaj qendre, Zana Kurtishi-Rudi, u shpreh se procesi zgjedhor është duke shkuar pa probleme. Ndërsa qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën për të votuar në këtë qendër ftuan edhe qytetarët e tjerë që të shfrytëzojnë këtë të drejtë pasi sipas tyre, përmes votës duhet të dëgjohet zëri i tyre.“Përgjithësi, shumë mire. Kush e meriton, shpresoj gjithmonë mendimet i kemi për ata që i kemi dhënë votën. Presim çdo të mirë, mendojmë për ndryshime”, u shpreh qytetari.
Të drejtën për të votuar e shfrytëzojë edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se vota e lirë është e drejtë e secilit qytetar./KosovaPress/























