TIRANË, 18 maj /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe aleatët e opozitës së bashkuar, kanë bërë thirrje sot për protestë kombëtare në Tiranë.
Në një konferencë për mediet, Basha tha se është koha t’u themi ndal politikanëve të lidhur me krimin, është koha për të larguar pengesën e vetme qeverinë me krimin.
“Ju ftojmë të bashkohemi në protestë për largimin e qeverisë dhe Fatmir Xhafajt. Ne duam një polici që vettingu të fillojë nga ministri i Brendshëm dhe deri te polici i thjeshtë”, – tha ai.
Basha tha se ne i ftojmë qytetarët për të protestuar për një drejtësi të vërtetë dhe jo falso. “Për drejtësi të barabartë për të gjithë, nga qytetari më i thjeshtë, te politikani më i pushtetshëm. Të gjithë ne pavarësisht se cilës parti i përkasim apo ku jetojmë, jemi në radhë të parë shqiptarë. Mbi të gjitha ne duam vendin tonë Shqipërinë. Një Shqipëri pa krim dhe pa drogë, një Shqipëri europiane”, – tha Basha.
Më tej, Basha tha se “ne nuk mund të humbasim më kohën dhe energjitë tona çdo ditë duke u marrë me kriminelin e radhës në politikë. Është koha t’u themi ndal të gjithë politikanëve të lidhur me krimin. Është koha të mbyllim kapitullin e krimit në Shqipëri që të hapim kapitullin e ekonomisë, shëndetësisë, të arsimit, të investimeve të huaja dhe të punësimit. Ndaj i ftojmë qytetarët të bashkohen në protestën kombëtare”.
“Mbajtja e Fatmir Xhafajt, ministër të Brendshëm është kosto e pa përballueshme për Shqipërinë dhe goditje e rëndë për drejtësinë. Shqipëria ka njerëz të ndershëm që mund t’i shërbejnë popullit. Edhe PS ka njerëz të ndershëm që mund t’i shërbejnë popullit, ndaj ju ftoj në protestë edhe ju socialistëve”, – shtoi Basha.
Më tej Basha theksoi se “nuk e ka ndryshuar klimën Bashkimi Europian, siç gënjeu sot Edi Rama. Klima është e njëjta, nuk hapen negociatat pa luftuar krimin dhe politikanët e lidhur me krimin. Ky ka qenë mesazhi i Brukselit, ky është mesazhi i samitit të Sofjes”.
“Qeveria Rama është pengesa e vetme për rrugëtimin europian të shqiptarëve, ndaj i ftoj qytetarët të bashkohemi të shtunën me 26 maj në Tiranë, në protestën kombëtare për një Shqipëri të çliruar nga një qeveri e lidhur me krimin, dhe qeveria antipopullore e Edi Ramës”, – theksoi Basha./a.g/











