TIRANË, 25 shtator /ATSH – I. Vata/ “Opozita mbështet zyrtarisht realizimin e reformës zgjedhore”, deklaroi sot ipërfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, ndërsa propozoi ngritjen e një strukture të posaçme për reformën.
Përfaqësuesi i opozitës i pranishëm në tryezën për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE, Ivi Kaso, shprehu sot angazhimin e koalicionit opozitar për mbështetjen e realizimit të kësaj reforme.
Kaso tha se “opozita konsideron se personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi”.
“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, tha ai.
Po ashtu, Kaso thekson se “propozimi i opozitës për zgjidhjen e këtij problemi është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë”.
“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”, – thuhet në qëndrimin zyrtar të opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore. Ky qëndrim ka në përbërje 5 çështje kryesore që opozita i shikon si një rrugë e mirë për të zgjidhur problemin e Reformës Zgjedhore, një nga kushtet kryesore për nisjen e negociatave”, tha ai.
Po ashtu, Kaso shtoi se opozita është gati për të diskutuar ndryshime për ligjin e partive politike, sistemin zgjedhor dhe Kushtetutën. Duhen edhe ndryshime për referendumet.
“Opozita thekson në qëndrimin e saj se “duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Qëndrimi i opozitës për reformën zgjedhore përfshin edhe dhënien e garancive për vendimmarrje të drejtpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të referendumeve.
“Kodi Zgjedhor aktual, i pandryshuar për këtë çështje që nga viti 2000, pamundëson zhvillimin efektiv të referendumeve. Referendumet janë e vetmja formë që përveç mundësisë për vendimmarrje të drejtpërdrejtë nga qytetarët për një çështje, garantojnë edhe të drejtën e qytetarëve për të ndikuar drejtpërdrejtë në politikëbërje, nga Qeveria, Parlamenti dhe partitë politike”, – tha ai.












