Ballina Aktualitet

Reshjet e shiut, Çako: Gjithçka nën kontroll, strukturat janë në terren

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi sot se situata pas reshjeve të mbrëmshme është nën kontroll dhe se strukturat janë në terren për të ndihmuar banorët që kanë probleme, sidomos në Krujë dhe Fushë Krujë.

Gjatë një prononcimi, Çako tha se “ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm të reshjeve të shiut gjatë natës. Zonat më të prekura kanë qenë zona që përfshin Tiranën në pjesën perëndimore në kufi me Krujën, Laçin dhe me Lezhën, por edhe një pjesë e Durrësit. Pothuajse në të gjithë këtë zonë ka pasur një intensitet shumë të lartë të reshjeve në një periudhë relativisht të shkurtër”.

Ai shtoi se “reshjet aktualisht kanë pushuar. Situata është duke u normalizuar. Ka pasur prezencë të Emergjencave Civile, të bashkive të prefekturave, policisë, të gjithë institucioneve të shtetit gjatë gjithë natës në zonën e Kamzës kryesisht, ku ka pasur një bllokim të kolektorit dhe shkarkimeve kryesore që bëjnë derdhjen, por është dashur ndërhyrja, nëpërmjet ministrisë së Bujqësisë, me mjetet e Bordeve të Kullimit”.
Çako tha se “ka qenë prezente e gjithë qeveria në drejtim të operacioneve që vijojnë akoma. Tani përqendrimi është tek shkarkimet dhe drejt derdhjeve dhe tek efektet si fryrja e lumenjve, si të Tiranës, Krujës dhe Fushë-Krujës. Gjithsesi situata është nën kontroll”.

Gjithashtu ai shtoi se, “ka shumë banesa që kanë pasur prezencë uji. Në shumë raste është ndërhyrë me mjetet e shpëtimit me forcat e bashkisë. FA me mjetet e veta ka qenë prezente. Do të dojë pak kohë sa të bjerë niveli”.

Sa i përket qarkullimit, Çako tha se qarkullimi është normal dhe nuk ka probleme.
Për sa i përket dëmeve nga tërmeti, ai tha se “këto janë fenomene të natyrës me të cilat njeriu përballet gjithmonë dhe do të vazhdojë të përballet. U kërkojmë banorëve të mirëkuptojnë, sepse natyra është ajo që komandon gjithçka. Jemi duke mbyllur konstatimet pas tërmetit, shumë shpejt do të bëjmë vlerësimet për rehabilitimin e zonave”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Corbyn: Johnson të japë dorëheqjen
Artikulli tjetërReforma në Drejtësi/ SHBA: Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është lajm i keq