TIRANË, 17 maj/ATSH/ -Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot gjatë fjalës në seancën plenare se, “prej 72 orësh dëshmitari X dhe familja e tij janë nën presionin e dyfishtë të bandës Xhafës dhe presionit e terrorit policor. E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe vetë atij.
“Fatmir Xhafaj duhej të kishte dhënë dorëheqje. Fatmir Xhafaj nuk është këtu sepse është i zënë me diçka tjetër të cilën do ta marrim vesh shumë shpejt”, tha Basha.
Basha u shpreh se, “policia e ka për detyrë të ndalojë Agron Xahfaj, i cili është koka e drogës në Vlorë. Prokuroria e ka për detyrë të hapë hetimin. Por kanë bërë diçka tjetër, terror policor, përderisa audio-përgjigimi nuk është i vërtetë, perse i janë vënë prapa dëshmitarit X dhe jo bandave?”.
“Prej 9 ditësh shqiptarët dhe opinioni ndërkombëtar kanë dëgjuar fakte të pranuara edhe nga vetë Fatmir Xhafaj. Fakti se Agron Xhafaj u kap në një operacion ndërkombëtar të trafikut të drogës nga policia italiane dhe DEA amerikane, u mohua për vite me radhë”, tha Basha .
“Fakti se Agron Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë 7 vjet e dy muaj për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u mohua 5 vite dhe u pranua sot. Fakti se ai i ka ikur drejtësisë dhe ka pasur avokat të pajtuar vetë por ka vendosur ti ikë ti bëjë bisht drejtësisë. Është fakt se Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Është fakt se deri para dy ditësh deri dje Agron Xhafaj ishte në Vlorë”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh se, “është fakt se ndërroi identitetin e tij në Geron. Është fakt me zë dhe figurë se e vazhdon trafikun kriminal të trafikut të drogës”.
“9 ditë pa asnjë përgjigje, pa asnjë qëndrim dhe dje papritur Agron Xhafaj niset fshehtas dhe me urgjencë në Itali jo siç ekstradohen të dënuarit me pranga në duar dhe të shoqëruar, por me avionin e linjës dhe u përshëndet me qetësi me policët dhe hipi në avion”, tha Basha.
“5 vjet pa i hyrë gjemb në kokë dhe pasi u konfirmuan faktet si kokën e krimit të organizuar në Vlorë përcillet me mallëngjim në Itali. Çfarë fshihet pas kësaj ngjarje pas kësaj ngutjeje? Policia duhet ta kishte ndalur, prokuroria duhet ta kishte hetuar, por Policia ka marrë një urdhër nga vëllezërit Xhafaj”, u shpreh kreu i PD.
/gj.mima/ /a.g/











