ANKARA, 6 shtator /ATSH-AA/- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se vendi i tij nuk ka marrë mbështetjen e domosdoshme të botës, fillimisht të Bashkimit Europian lidhur me çështjen e shpërndarjes së barrës së pranimit të migrantëve dhe paralajmëroi se Turqia do të detyrohet të hapë kufijtë e saj.
Erdogan ka folur në takimin me përfaqësuesit e qytetit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, ndërsa me këtë rast u përqendrua në ndodhitë aktuale.
“Do të detyrohemi të hapim kufijtë apo do ta mbajmë këtë barrë vetë? Nuk kemi marrë mbështetjen e nevojshme nga bota, kryesisht nga Bashkimi Europian kur bëhet fjalë për ndarjen e barrës në lidhje me migrantët që kemi pritur”, tha Erdogan.
Ai shtoi se vendi i tij synon të vendosë së paku një milion sirianë përgjatë kufirit të gjatë 450 kilometra, në një rajon ku do të formohet një zonë e sigurisë./ /os/ a.jor.





















