Ballina Aktualitet

Hapet në Laç zyra e re e aplikimeve për ID dhe pasaporta biometrike

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ – Në qytetin e Laçit është hapur zyra e re e aplikimeve për karta identiteti (ID) dhe pasaporta biometrike. Prefekti i Qarkut Lezhë, kryetarja e bashkisë Kurbin dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme, panë nga afër ambientet dhe u bënë apel qytetarëve të nxitojnë të aplikojnë.

Majlinda Cara, kryetarja e bashkisë Kurbin u shpreh se kjo,”është një zyrë me parametra shumë më të mira dhe me hapësira më të mëdha sesa zyra që ishte ekzistente më përpara”.

“Ky është një premtim i imi gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të 30 qershorit që ju kam dhënë banorëve të Kurbinit, që do jem çdo ditë në shërbim të qytetarëve për t’iu ofruar shërbime cilësore dhe kjo do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Ishte sfida e parë për ne”, u shpreh Cara.

Bledar Doracaj, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme u shpreh se, “jemi në bashkinë e Laçit, ku një tjetër ambient modern bashkëkohor i afrohet shërbimit ndaj qytetarëve. Qëllimi jonë është që të jemi sa më pranë qytetarëve. Tashmë kemi mbaruar identifikimin e zyrave në të gjithë Shqipërinë dhe në bashkëpunim me kompaninë ‘Aleat’ dhe organet e pushtetit vendor, jemi duke hapur zyra të reja, të tilla standardeve për t’iu shërbyer qytetarëve sa më shpejt dhe me cilësi”.

Gjithashtu Doracaj u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë, pasi dhe ditën e shtunë këto zyra janë të hapura.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Laçit, dhe jo vetëm të Laçit, që dita e shtunë është ditë pune për të gjithë zyrat e gjendjes civile dhe zyrat e aplikimit për pasaporta, ID dhe jo vetëm, por edhe për për zyrat, ose Komisariatet e Policisë ku bëhet aplikimi për formular policie dhe kjo do të vazhdojë deri sa ne të arrijmë të përballojmë fluksin me sukses”, tha Doracaj. /a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – Swis Re: Rreth 44 miliardë dollarë humbje ekonomike nga katastrofat natyrore
Artikulli tjetërTAJLANDË – Autoritetet injektojnë 10 miliardë dollarë në ekonomi