ROMË, 12 gusht /ATSH-ANSA/ – Temperatura në disa zona në Itali arriti në 50 gradë Celsius, por jo ajo e ajrit, por e disa sipërfaqeve të caktuara të tokës si në Pulia, Siçili dhe Sardenjë, po ashtu edhe në disa zona të Kampanjas, Lacios, Toskanë dhe Markes, doli sot nga imazhet e gadishullit të kapura nga sateliti ”Sentinel3” i programit ”Copernicus”, të Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA).
Imazhet u publikuan në Twitter nga shërbimi i menaxhimit të emergjencave të ”Copernicus” i cili shkruan në mesazh se ”Italia po digjet me nxehtësi. Duhet të ketë qenë një ditë e vështirë për shërbimin e emergjencës dhe mjekët”.
Në të njëjtin mesazh, shërbimi i emergjencave të ”Copernicus” saktëson se harta e nxehtësisë është në lidhje me temperaturat e arritura nga sipërfaqja e tokës dhe jo nga ajri./ a.jor.





















