TIRANË, 25 korrik /ATSH/- 200 studentë në datën 1 gusht do të kryejnë praktikat e punësimit në strukturat e Ministrisë së Financave, për t’u bërë pjesë e stafit të inspektorëve në luftën kundër informalitetit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot, gjatë një interpelance me përfaqësues të biznesit, se angazhimi i qeverisë në kuadër të zbatimit të planit operacional për luftën kundër informalitetit është maksimal dhe për këtë po punohet në të gjitha drejtimet me të gjithë aktorët.
“Dua t’ju kujtoj, – tha Denaj, – që të gjithë studentët nga jugu, deri në veri të vendit, mund të aplikojnë deri në datën 31 korrik, për t’u punësuar si praktikant pranë strukturave tona inspektuese në terren, se kush nga bizneset është i paregjistruar, ku ka fatura ende pa regjistrin fiskal”.
“Në analizën e riskut ne kemi evidentuar rreth 6100 biznese në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe të akcizës, të cilët paraqesin risk potencial, ndaj dhe inspektimi e monitorimi ynë është fokusuar paraprakisht në këto subjekte”, – tha Denaj.
“Lufta kundër informalitetit do të shtrihet gjatë gjithë vitit, me qëllim mbrojtjen e biznesit të ndershëm, konsumatorit dhe ekonomisë formale eficiente”, – deklaroi Denaj. /e.xh/












