TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia Rrugore Durrës ka marrë të gjitha masat për përballimin me sukses të sezonit turistik. Shefi i sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kryekomisar Valentin Forini, gjatë një prononcimi për mediet evidentoi si akset kryesore dhe më problematikë: Maminas-Gjiri Lalëzit, Unaza e Shkozetit, Plepa-Golem, Ura e Gjolës, Fushë Krujë- Thumanë.
Në këto akse për gjithë sezonin turistik, policia ka shërbime të përforcuara dhe në monitorim për menaxhimin e trafikut.
Shërbimet e Policisë Rrugore u kërkojnë gjithë drejtuesve të mjetit dhe i këshillojnë që të bëjnë kujdes me:
-Respektimin e normave të sjelljes.
-Respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
-Rregullimin e shpejtësisë dhe mbajtjen e distancës nga mjetet e tjera.
Gjithashtu të bëhet kujdes me përdorimin e celularit dhe me parakalimet e gabuara, të cilat janë të shumta sidomos në aksin Maminas-Gjiri i Lalëzit dhe këtu është përqendruar dhe puna jonë me të gjitha shërbimet.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë këshilluar që të tregohen me drejtuesit e mjeteve korrekt me komunikimin dhe me procedurat standarde,.
Për të gjitha shkeljet të cilat janë burim aksidenti në Qarkun e Durrësit dhe që shkaktohen nga parakalimet e gabuara, përdorimi i aparatit celularë, tejkalimi i normave të shpejtësisë dhe mos vendosja e rripit të sigurimit, nga ana e Policisë Rrugore janë të pafalshme dhe do të merret masë administrative ndaj këtyre shkelësve.
Gjithë këto masa janë marrë për të ulur numrin e aksidenteve dhe për parandalimin e tyre.
“Krahasuar me 6 mujorin e vitit 2018 kemi një ulje të aksidenteve si qark mbi 40%, dhe kjo ka ardhur për shkak të një analize shumë të thellë që ka bërë Policia Rrugore Durrës dhe vendosja e shërbimeve në ato akse dhe në ato pika ku ka pasur probleme me sinjalistikën dhe me aksidentet rrugore”, tha Forini.
Sipas tij, për çdo problem që do të kenë pushuesit që përshkojnë Qarkun e Durrësit sidomos në ato akse problematike, Policia Rrugore do të jetë aty për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti dhe çdo qytetari që kërkon ndihmën tonë.
“Ne jemi në terren, jemi në monitorim të menaxhimit të trafikut në të gjitha akset që të mos ketë aksidente. Unë falënderoj dhe qytetarët sidomos për raportimet që sjellin në “Komisariatin Dixhital” dhe 112 për çdo raportim dhe filmim edhe ato të publikuara në rrjetet sociale ne i kthejm në masa administrative, kjo është një risi sepse gjobën në bazë të Kodit Rrugor ja u dërgojmë shkelësve në banesën e tyre sipas adresës që kanë”, tha ai. /j.p/











