TIRANË, 23 qershor /ATSH/- Deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro, u shpreh sot se “Projekti i Rilindjes Urbane e ka transformuar qendrën e Përmetit, në sheshin me infrastrukturën më të bukur që i shërben të gjithë përmetarëve, në modelin që duhet të jetë në të ardhmen edhe në të gjitha zonat rurale të këtij qyteti”.
Duke marrë fjalën në takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit në Përmet, ku u prezantuan kandidatët e Partisë Socialiste, për kryetar të bashkisë Permet, Alma Hoxha dhe për bashkinë Këlcyrë, Klemend Ndoni, Kumbaro theksoi se “falë jush dhe qeverisë Rama, ky shesh ku jemi mbledhur sot, nuk është më ai i katër viteve më parë. Ndërsa dy hotele të reja janë ndërtuar dhe shumë investime të reja do të marrin rrugë, kur pushteti vendor dhe ai qendror të jenë bashkë nën siglën e Rilindjes”.
“Investimet që u bënë vetëm në këto vite të fundit i sollën Përmetit 24 orë ujë dhe sfida jonë është, që këtë ndryshim zhvillimi, ta çojmë edhe në zonat rurale të Përmetit e Këlcyrës. Ne duam që me kandidatët tanë, pushteti vendor të çojë përpara investimet në Përmet, që qyteti i luleve të mirëpresë në çdo stinë turistë dhe Përmeti të kthehet në qytetin turistik të preferuar për të gjithë turistët e vizitorët vendas dhe të huaj”, – tha Kumbaro.
Ajo i bëri apel të pranishmëve që kishin mbushur sheshin e qytetit se, “Përmeti nuk ka nevojë për një kryetar bashkie që u mbyll derën miqve, nuk ka nevojë për një kryetar bashkie që u mbyll çezmat qytetarëve, prandaj me 30 qershor votoni modelin e Rilindjes, modelin e qeverisjes për të gjithë shqiptarët”.
“Sfida që ne kemi është çuarja përpara e modelit të Rilindjes, modeli në shërbim të qytetarëve”- tha Kumbaro. e.xh/” /a.g/












