TIRANË, 21 qershor/ATSH/- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka përfunduar hetimet për Gentjan Durakun, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në Gjermani.
Sipas Prokurorisë, më datë 13.06.2019 kanë përfunduar hetimet e çështjes penale nr. 294 të vitit 2017, në ngarkim të të pandehurit: Gentjan Duraku, i biri i Limanit dhe i Dashmires, i datëlindjes 21.11.1989, lindur dhe banues në Morinë, Kukës, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, me gjendje familjare i martuar, me gjendje gjyqësore i dënuar.
Ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Vjedhje’’, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, kur ka sjellë pasoja të rënda, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Rrethanat e faktit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë mbi bazën e akteve të referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Taskforcës Antiskifter në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe mbi bazën e të dhënave të marra nga Autoritetet Gjermane të Drejtësisë, me datë 21.09.2017, ka regjistruar procedimin penal nr. 294 për kryerjen e veprave penale “Vjedhja” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga aktet rezulton se që nga nëntori i vitit 2015 në zonën e Offenburgut, Gjermani, ka pasur informacione nga autoritetet gjermane për ushtrimin e aktivitetit kriminal të një grupi kriminal për vjedhjen e disa banesave në territorin e shtetit gjerman, pjesëtarët të të cilëve ishin shtetas shqiptar.
Nga aktet e letërporosisë së autoriteteve gjermane të drejtësisë, konkretisht Prokuroria Offenburg, ka rezultuar se shtetasit shqiptarë Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, Gentjan Duraku, në bashkëpunim me disa persona të tjerë shtetas shqiptar, kanë marrë pjesë në disa ngjarje, 50 vjedhje të banesave të shtetasve gjermanë, të kryera gjatë viteve 2015-2016 dhe 2017, të cilët kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë aktivitetin kriminal të tyre në territorin e Republikës së Gjermanisë, për një kohë të gjatë, me një organizim të tyre, duke bërë të mundur vjedhjen e sendeve të çmuara tek këto banesa, si orë, bizhuteri, pajisje komunikimi, metale të çmuara, automjete si dhe vlera monetare që ndodheshin nëpër këto banesa.
Nga aktet e administruara ka rezultuar se vlerat monetare dhe materiale të përfituara nga personat bashkëpunëtorë në realizimin e këtyre vjedhjeve të banesave të shtetasve gjerman në Gjermani, kanë qenë në shumën rreth 113 mijë euro.
Rezulton se shtetasit shqiptarë Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, janë dënuar nga Gjykata e Landit Offenburg, Gjermani, ndërsa për të pandehurin Gentjan Duraku po paraqitet kërkesa për t’u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. /a.g/


















