TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Duke vënë në dukje ndryshimet në mënyrën e qeverisjes lokale në bashkitë që janë qeverisur nga socialistët dhe nga demokratët, Kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët nga Cërriku të bëjnë krahasimin mes Vlorës dhe Shkodrës.
“Shkodrën e kanë qeverisur për 30 vjet”, – tha Rama duke shtuar se ata nuk kanë bërë për 30 vjet, atë që u bë në Vlorë vetëm për katër vjet kur u përputh mandati lokal me atë qendror e me vizionin e qeverisë për zhvillimin e komunitetit.
“Mos e humbisni rastin të shihni Shkodrën sot, që të bëni krahasimin me pas 4 vjetësh me qeverisje socialiste”, – tha ai. Kryeministri solli në vëmendjen e qytetarëve një intervistë të kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi.
“Në qytetin e gjithë atyre figurave historike e kulturore, vjen dita në shekullin e 21 kur po vjen viti 2020, që qytetari numër një, që është edhe grua, në vend që t’i bëjë himn progresit, i bën himn molotovit. E kuptoni në çfarë derexheje janë katandisur”, – tha Rama. /j.p/























