Ballina Flash

“100 drita për të gjithë”, banorët e Shkodrës me lulishte të re

TIRANË, 15 maj /ATSH/ – Një nga lulishtet më të njohura dhe tradicionale të Shkodrës, është kthyer në një ambient mjaft tërheqës për të gjitha moshat, në kuadër të projektit “100 drita për të gjithë” .

Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre, i cili u prit në një takim dhe u shoqërua nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Rehabilitimi i kësaj lulishteje u bë i mundur nga një projekt i bashkisë Shkodër, i financuar nga qeveritë e Zvicrës dhe Austrisë, me një buxhet 53.402 euro.

Ambasadori Maitre në fjalën e tij theksoi se “me kënaqësi jam rikthyer në Shkodër në këtë vend të mrekullueshëm që ka aq shume për të ofruar jo vetëm si qytet, por edhe si rajon sa i përket aspekteve të saj natyrore, historisë, kulturës, letërsisë etj.

“Jemi sot këtu për të përuruar këtë projekt të rëndësishëm që është “100 drita për të gjithë”, – tha Maitre.

Kryetarja e bashkisë, Ademi, u shpreh se “është menduar si zonë për pushimin e banorëve, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme rinore apo edhe nga fëmijët”.

Së bashku, duke kaluar përmes pedonaleve të qytetit, Maitre dhe Ademi u drejtuan nga parku i rikualifikuar, ku biseduan edhe me frekuentuesit e tij të shumtë.

Ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit mes bashkisë Shkodër dhe qeverisë zvicerane e asaj austriake, si një mundësi reale për zhvillimin e projekteve me impakt të gjerë në komunitet.

Rritja dhe përmirësimi i sipërfaqeve të gjelbra si hapësira rekreative me elementet e sistemimin urban është realizuar përmes rikualifikimit të 4700 m2 sipërfaqe lulishte duke e plotësuar atë me elementë dekorativë, stola e tavolina si dhe duke e rikonceptuar ndriçimin përmes vendosjes së 100 ndriçuesve LED me efekte dekori dhe 19 ndriçuesve të lartë LED, duke e bërë jo vetëm më tërheqës frekuentimin e saj, por edhe më të sigurt. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKorçë/ Drejt përfundimit mensa sociale për njerëzit në nevojë
Artikulli tjetërMbi 780 fotografi të rralla të Shqipërisë në vitet 1928-1931, për herë të parë në COD