ROMË, 2 maj /ATSH-AA/ – Do të luftojmë për ëndrrat tona, deklaroi trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, përpara gjysmëfinales së sotme të Ligës së Kampionëve kundër Romës.
“Redsat” nga ndeshja e parë kanë një epërsi të madhe prej 5-2 dhe para duelit në “Olimpico” të Romës janë favorit për t’u kualifikuar në finale.
“Ne jemi këtu për të luftuar për ëndrrat tona. Kështu qëndrojnë gjërat. Duam të shkojmë në finale… Njerëzit mendojnë se Roma duhet të fitojë vetëm 3-0, por është shumë e vështirë të arrihet kjo”, tha Klopp.
Shumë besojnë se Roma mund të bëjë një tjetër mrekulli si në çerekfinale kundër Barcelonës, kur u mposht 1-4 në ”Camp Nou” dhe pastaj fitoi 3-0 në “Olimpico” dhe shkoi në gjysmëfinale.
“Nuk jam këtu për të folur për Barcelonën. Në atë ndeshje, Roma ishte mjaft e përgatitur. Gjithkush thotë se kjo nuk është e realizueshme, por edhe e mundur. Megjithatë, askush asgjë nuk i tha Barcelonës, sepse askush nuk mendonte se kjo mund të ndodhte. Jemi në një situatë shumë më të favorshme sesa mendoja para ndeshjes së parë dhe kjo është e vetmja e vërtetë”, tha trajneri gjerman./ a.jor.























