TIRANË, 1 maj /ATSH/ – Dita Botërore e Astmës organizohet në mbarë botën për të rritur ndërgjegjësimin e publikut rreth parandalimit të astmës.
Astma është një nga sëmundjet kryesore jo të transmetueshme e karakterizuar nga kriza të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllima gjatë saj, të cilat ndryshojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga personi në person.
Tek individët e prekur simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë ose në javë, dhe për disa të tjerë ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës. Gjatë krizës së astmës, tubat bronkialë ënjten duke shkaktuar ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlimin e lëvizjes së ajrit brenda apo jashtë mushkërive.
Simptomat e përsëritura të astmës shpesh shkaktojnë pagjumësi, lodhje, reduktim të aktivitetit jetësor të individëve, sidomos në shkollë dhe në punë. Astma ka një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë në krahasim me sëmundjet e tjera kronike.
Faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë një kombinim i predispozicionit gjenetik me ekspozimin mjedisor ndaj substancave dhe grimcave që mund të thithen nëpërmjet ajrit, të cilat mund të provokojnë reaksione alergjike ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes, si:
- Alergjenet e brendshme si pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiljet) apo parazitët e ndryshëm, si furrtarja e zezë;
- Alergjenet në natyrë (të tilla si poleni dhe myku);
- Kafshët shtëpiake;
- Tymi i duhanit;
- Alergjenet kimike në vendin e punës;
- Ndotja e ajrit etj.
Shkaktarë të tjerë që provokojnë krizat e astmës mund të jenë ajri i ftohtë, ngacmimet ekstreme emocionale si zemërimi ose frika, dhe aktiviteti fizik.
Njerëzit me simptoma të vazhdueshme duhet të marrin medikamente afatgjata çdo ditë për të kontrolluar pezmatimin bazë dhe për të parandaluar simptomat dhe përkeqësimin. Qasja e papërshtatshme ndaj medikamenteve dhe shërbimeve shëndetësore është një nga arsyet kryesore për kontrollin e dobët të astmës në shumë vende./e.malaj/ /a.g/




















