TIRANË, 17 prill /ATSH/- Të gjithë tatimpaguesit me të ardhura në shumën mbi 2 milionë lekë duhet të dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave të vitit 2018 brenda datës 30 prill.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bën të ditur se, kjo deklaratë duhet të paraqitet njëkohësisht edhe nga individët jo rezidentë në vendin tonë që realizojnë këtë vlerë të të ardhurave të tatueshme.
Tatimpaguesit janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme që përfshijnë: Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, të ardhurat bruto nga dividenti, të ardhurat bruto nga qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme në pronësi të deklaruesit, të ardhura bruto nga interesat bankare, fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të paluajtshme, shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit, të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, fitimi kapitali nga dhurimi, të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart. e.xh/j.p/












