TIRANË, 27 prill /ATSH/- Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, e cilësoi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Berlin dhe takimin me Kancelaren Angela Merkel si një prej takimeve më të rëndësishme e të suksesshme, duke theksuar se Gjermania mbetet një prej mbështetësve kryesorë për integrimin europian të Shqipërisë.
Në një intervistë në ERTV, Balla tha se “Shqipëria sot nuk ka më kushte, por parakushtet i ka plotësuar sipas asaj që ka thënë Komisioni Europian”.
Duke u ndalur në arritjet dhe sfidat e Shqipërisë, Balla dha disa fakte dhe shifra të konfirmuara nga EUROSTAT që konfirmojnë rezultatet mbresëlënëse të Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe kanabisit, si dhe mbi azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani.
“Certifikuesi më i paanshëm i të gjithë shifrave shqetësuese që ju ngrini, janë institucionet europiane si Eurostat dhe ato gjermane, që ne i besojmë. Dua t’i marr me radhë. Këtu kemi një grafik të thjeshtë se si ka qenë niveli i azilkërkuesve në tremujorin e parë të 2016. Në tremujorin e parë të vitit 2016 numri i azilkërkuesave ishte 4050, në tremujorin e parë të vitit 2017 ishte 1775 dhe në tremujorin e parë të vitit 2018 ishte vetëm 728. Krahasuar me pikun e 2016, jemi 6 herë më pak. Dua të ndaj me ju një shifër që nuk është bërë ende publike. Sot shqiptarët janë të parët për sa i përket numrit të të kthyerve vullnetarisht në vendin e tyre të origjinës”, – deklaroi Balla.
Referuar numrit të vrasjeve, Balla tha se “nga viti 2010, në 2011 kishim rritje, kur ministër ishte Lulzim Basha”.
“Në vitin 2012 është niveli më i lartë me 126 vrasje, ndërsa në 2017 është niveli më i ulët historik i vrasjeve, vetëm 52 vrasje. Shifër historike!” – deklaroi Balla, duke treguar grafikët e EUROSTAT.
Për sa i përket kanabisit, Balla tha se “viti 2017 ishte viti i një suksesi të pakontestueshëm nga partnerët tanë në BE, përfshirë edhe Gjermaninë”.
“Rezultatet e 2017 janë bazë e shëndoshë për t’u konsoliduar gjatë 2018 dhe dua të deklaroj me përgjegjësi që viti 2018 do të jetë viti i fundit që do të diskutohet kjo çështje”, – tha Balla. /e.xh.//r.e/










