TIRANË, 2 prill /ATSH – I. Vata/ – Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacioni koduar “Përshpejtimi” duke bërë të mundur arrestimin e një shtetasi arab.
Si rezultat i operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vënë në pranga një shtetas arab, i cili në bashkëpunim me dy shtetas shqiptar, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane se mund t’ju siguronin pasaporta të shtetit shqiptar në këmbim të një shume të konsiderueshme në euro.
Policia bënë të dituar se u arrestua T. M., 41 vjeç, lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. M., 40 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi M. M., 49 vjeçe (të dy shtetas shqiptar).
Po ashtu policia sqaron se “Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke u kamufluar si investitor dhe partner për investime në Shqipëri, u premtonin shtetasve të huaj me kombësi egjiptiane të cilët shfaqnin interes se mund t’ju siguronin atyre pasaporta të shtetit shqiptar për shuma mbi 20 000 euro”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Zyra në Tiranë e shtetasit të arrestuar arab; tri njësi kompjuterash të ndryshëm; një aparat celular; dokumente të ndryshme.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.












