Çuçi: Kompensim fermerëve të qumështit

TIRANË, 2 prill/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi i pranishëm në një studio televizive tha se prodhuesit e qumështit tashmë do përfitojnë 10 lekë për litër qumësht.

Duke folur për uljen e kompensimit për inputet nga 20% në 6%, u shpreh se seksioni i prodhimit të qumështit penalizohet nga kjo ulje, dhe për këtë arsye është vlerësuar se ky fermer do të kompensohet me një rritje 10 lekë për çdo litër qumësht.

“Në fakt kjo skemë, ky kompensim pra 20% për inputet është vënë në 2015 nga qeveria jonë. Kompensimi 20% kishte për qëllim të konsolidonte pjesën e bujqësisë, që sipas nesh ishte shumë e rëndësishme, e para, për të motivuar pikat e grumbullimit. Strategjia jonë është e drejtuar nga dy shtylla: stimulimi i serrave, sepse krijojnë avantazh në tregun ndërkombëtar. Dhe e dyta, grumbullimi, si hallkë e rëndësishme për tregun dhe  fermerin… Prandaj i dhamë një fokus të veçantë këtij kompensimi”, tha Çuçi.

“Kuptohet që kjo skemë s’do ishte për gjithnjë. Dhe në fakt përfitimi dhe gjithë lojën e luan grumbulluesi, pasi ai mbart të gjithë faturimin me TVSH dhe mban vetë gjithë paratë dhe faturohet ai 20%. Këtë vit, shtoi Çuçi kjo u bë 6%. Kur u vu në 2015, u vlerësua jo si e përhershme dhe dha rezultate si në rritje të eksportit, si në rritjen e prodhimit në volum. Tani, shtoi ministri, për të shkuar në një skemë më normale, ne menduam të heqim TVSH-në e inputeve bujqësore dhe ti kthehemi normalitetit për kompensimin e TVSH nga 20% në 6%, dhe fatura krahasuese është thuajse e njëjtë. Tani problem me qumështin është se qumështi si sektor, nuk përfiton shumë nga heqja e inputeve bujqësore dhe ka një problem që i krijohet vetëm qumështit. Nëse dje për litër qumësht fermerët me 20% fitonin 42 lekë për litër, sot është 37 lekë për litër. Po t’i qëndrojmë llogarisë, do marrë 5 lekë më pak. Prandaj, tha Çuçi, duke qenë se fermeri nuk përfiton nga skema tjetër alternative, atëherë ne kemi menduar ta kompensojmë fermerin me 10 lekë shtesë, jo 5 lekë, që do t’i bjerë në këtë rast fermerit të përfitojë 47 lekë për litër, jo 42 lekë sa ka qenë vjet, e jo 37 lekë sa dilte llogaria me uljen nga 20% në 6% me kompensimin e inputeve”, – tha Çuçi.

Alban Zusi, president i Qendrës Shqiptare të Eksportuesve u shpreh se ky vendim është tejet pozitiv për fermerët. “Nëse është kështu, kemi një zgjidhje pozitive të situatës”, tha Zusi.

/a.f/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.