TIRANË, 18 mars /ATSH/- Shqipëria mban aktualisht një rezervë valutore që mbulon rreth katër herë deficitin vjetor të llogarisë korrente, duke garantuar stabilitet dhe qëndrueshmëri të sektorit financiar në vend.
Sipas të dhënave të BSH-së, në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore arriti në 3.4 miliardë euro, me një rritje vjetore 13%, ose 403 milionë euro në vlerë absolute.
Qëllimi kryesor i rezervës valutore është pikërisht mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Gjithashtu, rezerva valutore mund të përdoret në raste të luhatjeve të forta në kursin e këmbimit, të cilat mund të përbëjnë shqetësim për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Banka e Shqipërisë ka parashikuar 17 ankande për blerje të valutës, ku shuma e parashikuar për t’u blerë është në intervalin mes 51 dhe 85 milionë eurove. e.xh/j.p/





















