TIRANË, 11 mars/ATSH-Maela Marini/ Pas stadiumit të Kukësit, Qeveria do të financojë edhe ndërtimin e stadiumeve të Durrësit, Fierit dhe Vlorës, por kjo sipas Kryeministrit Edi Rama “duhet të bëhet në mënyrë të strukturuar sipas një plani konkret disavjeçar”.
Në takimin e organizuar sot mbi sigurinë dhe reformën në futboll, Kryeministri Rama u ndal edhe te problemi i menaxhimit të stadiumeve.
“Deri më sot nuk kemi asnjë stadium të menaxhuar normalisht dhe është bërë Federata e Futbollit si ambulancë që merr përsipër menaxhimin. Normaliteti kërkon që pronarët e stadiumeve që janë bashkitë, në bashkëpunim me klubet të hynin në një logjikë të re”, tha Rama.
Ndaj, Kryeministri kërkoi që të diskutohet seriozisht për një fond për infrastrukturën sportive, siç është shembulli anglez, por ka edhe të tjerë, ku shteti ka qenë bashkëfinancues për impiantet dhe ka ruajtur një përqindje pronësie. Ndërkohë, tha ai, u takon klubeve të bëjnë administrimin e stadiumit.
Sipas Ramës, “kemi akoma situata absurde me bashki që refuzojnë bashkëpunimet me investitorët dhe me stadiume që nuk kanë asnjë standard”.
“Shteti fare mirë mund të jetë aksioner në këtë fond, mund ta mbështesë këtë fond sipas projekteve të veçanta dhe gjithçka që përfiton e riinveston në këtë fond. Kjo do të nxiste dhe frymëzonte njerëzit për të investuar më shumë në futboll”, tha Kryeministri. /a.g/












