TIRANË, 6 mars /ATSH/- Forcimi i bashkëpunimit institucional mes dy vendeve ishte në fokus të takimit të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Xhavit Çurri, me delegacionin e nivelit të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ilir Murtezaj.
Ky takim u zhvillua këto ditë në Tiranë, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes dy administratave homologe.
Gjatë fjalës së tij zv.drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Xhavit Çurri bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së punës së Administratës Tatimore, si dhe theksoi reformat që po ndërmerren për zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
“Bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Administratës Tatimore të Kosovës ka qenë tejet pozitiv në fushën e shkëmbimit të informacionit dhe ne do të vijojmë të ndjekim këtë qasje me qëllim rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit” tha gjatë fjalës së tij Çurri.
Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Murtezaj, në emër edhe të delegacionit që e shoqëronte, i konsideroi të shkëlqyera raportet mes dy administratave, ndërsa vlerësoi vullnetin për rritjen e mëtejshme të shkëmbimit të informacionit dhe përvojave tatimore.
Bazuar edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, të dyja administratat tatimore janë duke vijuar punën për vlerësimin e nevojave për trajnime të përbashkëta, çka do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve profesionale të burimeve njerëzore.
Gjatë vizitës, drejtuesit e ATK-së patën mundësi të vizitonin mjediset e Qendrës së Thirrjeve, si dhe ato të Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve Tiranë, ku u njohën me mënyën sesi po informohen dhe asistohen tatimpaguesit. e.xh/j.p/












