TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ – Në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës”, gjimnazistët e shkollës “Naim Frashëri” Durrës, morën pjesë në veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Monumente funerare antike në Muzeun Historik Kombëtar”.
Kjo temë kishte për qëllim t’i njihte nxënësit me një elementë të rëndësishëm të kulturës shpirtërore të ilirëve, siç ishin ritet dhe mënyrat e varrimit. Ata u njohën nga afër me kalimin nga varrimi me tuma, përdorur më së shumti gjatë epokës së bronzit, në nekropolet e sheshta të cilat njëkohësisht sollën dhe ndryshime esenciale në ritet e varrimit.
Gjithashtu u njohën me tipologjinë e varreve, dhe kalimin nga varret e thjeshta tek ato monumentale, zhvillimi i të cilave arriti pikën kulmore me varret monumentale të Selcës, nga ku trashëgojmë sot një koleksion të pasur objektesh prej ari të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar.
Krahas zhvillimit historik të tyre, ata u njohën edhe me monumentet funerare të ndodhura në muze, ku cilësojmë stelat me skena të pasura të ardhura nga Apolonia, të cilat japin të dhëna të rëndësishme mbi artin dhe onomastikën ilire, duke treguar për një nivel të lart zhvillimi tek ilirët.
“Një ditë me kuratorin” synon të forcojë bashkëpunimin me shkollat e mesme, duke sjellë më afër objektin me nxënësit apo studentët, për të rritur ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore. /a.a/j.p/












