TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ – Në qarkun e Fierit janë kryer 1955 inspektime në subjekte të ndryshme përgjatë 2018.
Në prani të Kryeinspektorit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho u zhvillua analiza vjetore e degës përgjatë vitit 2018 që sapo përfundoi në përmbushje të misionit të ISHSH, garantimi i respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik.
“Gjatë vitit 2018 ISHSH dega rajonale Fier ka kryer 1955 inspektime në subjekte që ofrojnë shërbim spitalor, hotele, pika të shitjes së ushqimit të përgatitur, subjekte që tregtojnë ose importojnë kripë, ndërmarrje dhe fasoneri, subjekte të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore, institucione arsimore, klinika mjekësore e klinika dentare”, – u theksua në takim.
Braho theksoi në fjalën e saj përballimin me sukses të sezonit turistik veror 2018 në qarkun e Fierit, sukses i cili duhet të përsëritet dhe në 2019. Për këtë qëllim mbetet prioritet i punës së të gjithë trupës inspektuese së ISHSH dega rajonale Fier, identifikimi dhe pajisja me dokumentacionin e nevojshëm higjieno-sanitar i të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm gjatë sezonit turistik veror. Sipas saj, numri i masave administrative të marra ndaj shkelësve të ligjit nuk reflekton situatën e vërtetë në qark dhe kjo situatë duhet të ndryshojë në mënyrë urgjente.
Ka akoma subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qark pa u pajisur me Akt Miratimi Higjieno-Sanitar dhe kjo është një mangësi në punën e tyre.
Në përfundim të fjalës së saj, Braho shprehu vendosmërinë e ISHSH për garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
z.tosku/j.p/












