TIRANË, 18 shkurt /ATSH/- Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë duke pësuar një rënie me 0,3%, krahasuar me 1 janar 2018, bëri të ditur sot INSTAT.
Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë është 7130 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 17,4%, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) është 15030 banorë, duke shënuar një rënie prej 0,9 %, krahasuar me një vit më parë.
Në vitin 2018 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65 me popullsinë 15-64 vjeç) ka pësuar rritje nga 19,4 % në 20,1 % gjatë të njëjtës periudhë.
INSTAT bën të ditur se, raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar rënie në krahasim me 2017 nga 101,3 në 100,1 meshkuj për 100 femra. Ndërsa në vitin 2018, mosha mesatare e popullsisë rezulton 35,4 vjeç.
Në 1 janar 2019, Tirana zë rreth 31,3% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, duke u ndjekur më pas nga Fieri 10,3% dhe Durrësi 10,1%. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2% deri 5 % të popullsisë gjithsej. e.xh/ /a.g/























