Ballina Ekonomi

Brukseli vlerëson zbatimin e programit IPARD në Shqipëri

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Misioni auditues i Drejtorisë së Përgjithshme për Bujqësinë në Bruksel vlerëson procesin e ndjekur nga Agjencia Zhvillimit Bujqësor e Rural (AZHBR) për zbatimin e programit IPARD II, që adreson mbështetje financiare për bujqësinë shqiptare.

Në një njoftim për shtyp, AZHBR bën të ditur se, misioni auditues për çështjet e Bujqësisë nga Brukseli, vizitoi Shqipërinë nga data 5 deri 6 shkurt, ndër të tjera për të monitoruar nga afër procedurat administrative të programit IPARD.

Misioni i DG AGRI zhvilloi takime me autoritet menaxhuese në vend, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoritetin Menaxhues në MBZHR, si dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duke garantuar mbështetjen e procesit nga afër.

Me temë afrimin e donatorëve të tjerë në këtë proces, angazhimin e tyre në ngritje të kapaciteteve dhe mbështetjes teknike për programin IPARD në Shqipëri, u zhvillua edhe një takim nga Ambasada gjermane në funksionin e donatorit koordinues, më 06 shkurt në Europa House.

Drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca evidentoi rezultatet e deritanishme, si një tregues i qartë i rritjes së besueshmërisë të fermerëve ndaj programit IPARD.

Në përpjekje për të garantuar një proces të suksesshëm, shumë organizata ndërkombëtare dhe institucione bankare si: Giz, FAO, IFC, Ambasada gjermane, Ambasada italiane, zviceriane, hungareze dhe donatorë të tjerë, shfaqën mbështetjen e tyre për ngritje të kapaciteve në këto iniciativa të rëndësishme afatgjata për sektorin e bujqësisë. /j.p/

e.xh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës, kënd lojërash për fëmijët me aftësi të kufizuara
Artikulli tjetërPARIS – Gjigantët e karburanteve përfituan miliarda