Ballina Aktualitet

Gjonaj: Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ – Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash që luftojnë korrupsionin si dhe ka strukturat e duhura për ta frenuar këtë fenomen.

Kështu u shpreh ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një interviste televizive duke theksuar se vendi ynë ka bërë progres në luftën kundër fenomenit të korrupsionit.

“Në raportin e Transparency International, Shqipëria vërtet renditet me 2 pikë më pak se vitin e kaluar, por specifikuar edhe në raport gjë që nuk ka ndodhur më parë, theksohet se Shqipëria ka marrë një sërë reformash që luftojnë korrupsionin dhe ka ngritur tashmë struktura të mira për të luftuar korrupsionin, si dhe procesi i Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ato të cilat do të bëjnë që Shqipëria të ketë rezultate më të mira. Po të marrim në konsideratë Reformën në Drejtësi që është pikërisht Vetingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve, është e vështirë që të themi që qytetarët sot, pavarësisht se shikojnë gjyqtarë dhe prokurorë që dalin nga sistemi, të kenë arritur që të prekin rezultatet në procesin e rregullt gjyqësor apo në vendimmarrjet e rregullta ndaj tyre. Po të marrësh në konsideratë disa shifra që vijnë ndër vite, Shqipëria vërtet renditet me 2 pikë më pak se vitin që kaloi, por është 5 pikë më shumë se në vitin 2013, është 5 pikë më shumë se në vitin 2011 dhe është 7 pikë më shumë se në 2007, pra do të thotë se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit”, – theksoi ministrja Gjonaj.

E pyetur për ngritjen e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, Gjonaj theksoi se tashmë ka një njoftim nga ana e KLP për kandidaturat, të cilat sipas saj do të duhet t’i nënshtrohen procesit të Vetingut.

“Sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore struktura e SPAK, ngrihet menjëherë sapo struktura e KLP ngrihet dhe në rastin konkret ne kemi një njoftim dhe një thirrje të bërë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidaturat për Prokurorinë e Posaçme, dhe njëkohësisht të njëjtën gjë ka kryer edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Të gjithë këto kandidatura, që kanë si afat datën 7 shkurt për dorëzimin e kandidaturave të tyre, do të duhet që t’i nënshtrohen procesit të Vetingut paraprakisht dhe gjithashtu do të duhet që në të njëjtën kohë të ngrihet si Prokuroria e Posaçme për të hetuar çështjet e korrupsionit në krimin e organizuar, edhe Gjykata e cila do të gjykojë këto vepra penale dhe Byroja  Kombëtare e Hetimit. Ne mbajmë në konsideratë kandidaturat e prokurorëve për Prokurorinë e Posaçme që janë në listën prioritare të komisionit të Vetingut dhe ky proces do të përfundojë shumë shpejt për kandidaturat që nuk janë vetuar ende, me qëllim që SPAK të ngrihet të paktën në 6-mujorin e parë të këtij viti”, – theksoi Gjonaj.

Duke u ndalur te reforma në sistemin e burgjeve, ministrja e Drejtësisë Gjonaj bëri me dije se janë marrë një sërë masash në aspektin strukturor duke përgatitur sallën e monitorimit të të burgosurve, e cila është e lidhur me 7 institucionet e veprës penale të sigurisë së lartë, ku pikërisht këto subjekte do të jenë tek këto institucione të sigurisë së lartë dhe do t’i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm.

“Ligji ka hyrë në fuqi para dy ditësh, dhe që në momentin që ky projekt është bërë gati për të kaluar në Kuvend dhe më pas për t’u miratuar. Ne kemi punuar me protokollet e zbatimit edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke pasur parasysh, ashtu siç dhe u tregua në tryezën e Antimafias, vullnetit e tyre për të na ofruar ekspertizën meqë është një model që është marrë nga shteti italian të cilët e kanë aplikuar pikërisht për nevojën që kanë patur, me qëllim që të kenë një monitorim specifik subjektet e grupeve kriminale, si subjekte në proces hetimi dhe ato që janë në proces gjykimi dhe për këtë arsye ne kemi punuar me këto protokolle zbatimi njëkohësisht jo vetëm në aspektin legjislativ, por edhe infrastrukturor dhe strukturor. Dhe kur bëhet fjalë për aspektin strukturor kemi përgatitur sallën operacionale, ose ndryshe sallën e monitorimit, e cila është e lidhur me 7 institucionet e veprës penale të sigurisë së lartë, ku pikërisht këto subjekte do të jenë tek këto institucione të sigurisë së lartë dhe do t’i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm”.

Këtë të enjte Parlamenti ka miratuar ligjin, i cili pritet që të nisë shpejt nga zbatimi. Shqipëria po ndjek në këtë drejtim modelin e shtetit italian. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakParkimet në Tiranë, bashkia shton shërbimet për qytetarët
Artikulli tjetërBSH: Rezerva valutore u rrit me 403 milionë euro