TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ – Policia e Shtetit do të sigurojë më shumë rend dhe qetësi gjatë vitit 2019. Këtë deklaratë Kryeministri Edi Rama e bëri gjatë takimit të përvitshëm të fundvitit me gazetarët.
“I them këto, jo sepse jam i kënaqur, por sepse ne do të bëjmë disa gjerë të reja, dhe Ministri i ri po i shtyn me shpejtësi përpara dhe jam i bindur që viti i ardhshëm do të jetë më i sigurt dhe më i qetë akoma sesa ky vit”, – u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se gjatë vitit që lamë pas, “Forca e Ligjit” ka sekuestruar asete kriminale më shumë se 4 vite bashkë të qeverisjes së mëparshme.
“Këtë vit kemi pasur një rritje të mëtejshme të sekuestrimit të aseteve kriminale. I kemi marrë krimit nga duart disa herë më shumë para dhe asete, sesa qeveria e këtyre të antikrimit në 8 vjet”, – theksoi Rama.
“Vetëm në 2018, vetëm “Forca e Ligjit” ka sekuestruar më shumë asete financiare kriminale sesa 4 vjet të Policisë së Shtetit në të shkuarën, në 2009-2013″, – nënvizoi kreu i qeverisë.
Kryeministri bëri me dije se numri i vrasjeve në krahasim me të shkuarën është ulur me mbi 50%.
“Gjatë këtij viti kemi 50 vrasje me dashje, numri i vrasjeve është i përgjysmuar në raport me të shkuarën. Në 2013 kemi pasur 107 vrasje, në janar-nëntor 2018, numri ka rënë në 50, tani presim dhjetorin duke pasur parasysh se çfarë ndodhi edhe para pak ditësh”.
Në fund, por jo për nga rëndësia, Kryeministri Rama zbuloi edhe disa risi për vitin e ardhshëm përsa i përket policisë rrugore.
“Një punë e konsiderueshme do të bëhet për uljen e aksidenteve. E kemi ulur pothuajse me 30% numrin e aksidenteve, po kemi para shumë aksidente. Keni filluar të shikoni, po në të ardhmen do të shikoni akoma më pak policë në rrugët kombëtare. Shumë pak nga ata që nxjerrin atë tabelën e të ndalojnë në mes të rrugëve dhe afrohen edhe flasin në mënyrë të paqartë”.
“Do të dixhitalizojmë gjobat, pra nuk do të shikoni së shpejti ato letrat e bakallit me shumë të dhëna që shkruhen me laps kopjativ. Do të reformojmë komplet komisionin e gjobave. Do të fillojmë sistemin e aplikimit të kamerave në rrugë dhe një sërë gjërash të tjera që besojmë se do ta rrisin shumë nivelin e sigurisë në rrugë dhe do ta lehtësojnë shumë marrëdhënien mes qytetarit dhe Policisë së Shtetit”.
“Ndërkohë është hapur procesi për të marrë një numër të konsiderueshëm studentësh të mirë në mësime, në Akademinë e Policisë për studime të thelluara, për të pasur financierë, ekonomistë, inxhinierë, njerëz me diploma të tjera, në radhët e inteligjencës së Policisë së Shtetit tha Kryeministri. /o.l/e.caushi/























