Qeveria e re, hap i rëndësishëm për mandatin e tretë

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri i vendit Edi Rama, deklaroi sot në konferencën për shtyp të fundvitit, se “me qeverinë e re ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm për mandatin e tretë dhe këtë do ta provojë koha”.

“Në tërësi, ajo që qeveria e re do të bëjë, do të jetë të përshpejtojë, të përshpejtojë, të sjellë një ritëm më të lartë dhe të jetë shumë më me këmbë në tokë në marrëdhëniet me njerëzit. Nëse ka një gjë që unë e konsideroj arsye për të qënë kritik ndaj ministrave që largohen, është një shkëputje nga njerëzit, për njëmijë e një arsye”, – tha Kryeministri Rama.

Së dyti, theksoi Kryeministri, më shumë punë në ekip.

“Duhet që skuadra të prevalojë. Nuk është e rastit që dy zv.ministra sot bëhen ministra dhe ju siguroj që një pjesë e madhe e zv.ministrave janë kapacitete reale që mund të drejtojnë sektorë, në këtë aspekt kemi pasur vështirësi, – u shpreh Rama, ndërsa theksoi se, – këtu unë do të synoj shumë fort që ministrat e rinj të jenë shumë më tepër drejtues strategjikë dhe shumë më pak mikromenaxherë që të merren me çdo detaj dhe zv.ministrat të marrin shumë më tepër përgjegjësi dhe kështu të ndahet barra në shumë supe”.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se, “këto janë dy gjërat më të rëndësishme për t’i dhënë më shumë cilësi mandatit të dytë dhe qeveria e re, është hap i rëndësishëm për mandatin e tretë”. /e.xh/r.e/

 

 

 

 

.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.