TIRANË, 25 Dhjetor/ATSH/- Besimtarët e krishterë të qytetit të Shkodrës kanë festuar të gjithë së bashku pranë familjeve të tyre.
Por, festa e Krishtlindjeve pjesën kulmore të saj e ka në mbajtjen e meshave solemne pranë katedraleve të qytetit.
Në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër u kremtua sot mesha e Krishtlindjes, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë.
Në meshën e drejtuar nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult Angelo Massafra, ishin të pranishëm qindra besimtarë të krishterë.
“Çdo njeri të jetojë me paqe në shtëpi e kudo, të jetojë në paqe kudo në botë. Këtë natë duhet të tejkalohet çdo vështirësi, urrejtje e mëri ndaj të tjerëve, duke hapur zemrën per dashuri”, iu drejtua Arqipeshkvi Massafra besimtarëve që kishin mbushur katedralen.
Për familjet shkodrane, festa e Krishtlindjeve apo Kshnellat, siç njihen në Shkodër, është ndër më të veçantat për besimtarët e krishterë, përfshirë ato katolikë dhe ortodoksë. Nisur edhe nga përqindja më e madhe që ekziston në Shkodër dhe përgjithësisht në qarkun verior, komuniteti katolik është më në vëmendje të kësaj feste.
Edhe pse më të pakët në numër, me të njëjtën madhështi e përjeton këtë festë edhe komuniteti ortodoks./k.s./j.p/












