Ballina Aktualitet

Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Studentë po zhvillojnë sot protestën e radhës para Ministrisë së Arsimit, e cila ka nisur rreth orës 14:00.

Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit për të përcjellë kërkesat dhe qëndrimet e tyre, në kuadër të protestave që vijojnë prej disa javësh.

Ata kanë paralajmëruar se do të vijojnë tubimet, pavarësisht ftesave të kryeministrit Edi Rama për dialog. Në mbështetje të studentëve janë shprehur edhe pedagogë.

Protesta e sotme vjen një javë pas tubimit të së shtunës së kaluar, kur studentët nuk pranuan që përfaqësues dhe mbështetës të Partisë Demokratike t’i bashkoheshin protestës së tyre.

Ndërkohë, mbështetësit e opozitës, pas grumbullimit para Kryeministrisë, kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, ku ishte paralajmëruar zhvillimi i protestës së studentëve.

Thirrja për protestën e Partisë Demokratike është bërë nga kryetari i saj, Sali Berisha, i cili u ka kërkuar demokratëve dhe qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, të mbështesin studentët dhe gjimnazistët që prej ditësh protestojnë.

Për mbarëvajtjen e dy tubimeve, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash, ku janë angazhuar rreth 1200 efektivë për garantimin e rendit dhe sigurisë në kryeqytet.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpahiu: Mbështetje për 55 fëmijë me aftësi të kufizuara në Gjirokastër, në vitin 2027 dyfishim i përfitimit për kujdestarët
Artikulli tjetërJEMEN – Dhjetëra viktima nga sulmet ajrore në Sana’a