Ballina Aktualitet

Akuzat ndaj Bashës, reagon PD

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH – Megi Zonja/ – Partia Demokratike ka reaguar sot lidhur me akuzat që mazhoranca i ka drejtuar kreut të kësaj force politike, Lulzim Basha ku sipas tyre ai ka ndërtuar një kat shtesë gjatë kohës që ka qenë në krye të bashkisë së Tiranës.

Përmes një deklarate për mediet, PD shprehet se Lulzim Basha nuk ka ndërtuar një kat shtesë në kohën kur ishte kryetar bashkie, si dhe nuk ka blerë asnjë apartament që në vitin 2003.

“Të tërbuar nga zbulimi i pazareve miliona euroshe tek “Unaza e Re”, propaganda e Edi Ramës dhe Erion Veliajt po rihedh në treg akuzat e vjetra dhe bajate, se Lulzim Basha ka ndërtuar një kat shtesë në kohën kur ishte kryetar bashkie. Për apartamentin e blerë që në vitin 2003, kohë përpara se të hynte në politikë, faktet janë këto: 1. Lulzim Basha nuk ka ndërtuar asnjë kat shtesë. 2. Para firmosjes së lejes së ndërtimit, Lulzim Basha ka marrë nga ILDKP aprovimin me shkresë zyrtare se nuk është në konflikt interesi. 3. Leja e ndërtimit skadoi pa u përdorur kurrë. Vala e sulmeve me shpifje të shëmtuara dhe akuza të vjetra bëhet për të mbuluar superskandalin e “Unazës së Re” dhe superskandalin e devijimit të Lumit të Lanës për t’i hapur rrugë pastrimit të parave nëpërmjet trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego. Çifti më i korruptuar i politikanëve në Europë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, kanë firmat e tyre në ndryshimin e Planit Urbanistik për të devijuar Lumin e Lanës në favor të krimit të organizuar. Kohës së përdorimit të kryeqytetit si “lavatriçe” e pastrimit të parave të pista po i vjen fundi!” shkruan PD në reagimin e saj. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMADRID – Rreth 300 emigrantë të shpëtuar në brigjet e Mesdheut
Artikulli tjetërVetingu në politikë, Meta: Është i domosdoshëm