TIRANE, 13 Prill /ATSH/ -Republika Çeke është mbështetëse e fortë e politikës së zgjerimit të BE-së dhe do të japë të gjithë mbështetjen e saj për hapjen e negociatave deri në përfundim të integrimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Kështu deklaroi Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke, Radek Vondracek në takim me ambasadorin e Shqipërisë Riza Poda.
Ky takim u zhvillua në kuadër të promovimit të diplomacisë parlamentare për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit nder-parlamentar mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke.
Ambasadori Poda, pasi i përcolli Kryetarit të Parlamentit të Republikës Çeke, përshëndetjet miqësore të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, e falenderoi bashkëbiseduesin për mbështetjen e Republikës Çeke në procesin e zgjerimit të BE-së.
Më tej, diplomati shqiptar e njohu Vondracek, me ecurinë e reformës në drejtësi me fokus procesin e vetingut, si dhe lidhur me pritshmëritë për rekomandimin e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke, Radek Vondracek vlerësoi progresin e bërë vitet e fundit në marrëdhëniet mes të dy Parlamenteve, duke evidentuar një numër të madh vizitash të komisioneve parlamentare respektive. /e.malaj/ /a.g/













