TIRANË, 20 dhjetor /ATSH – A. Fortuzi/ – Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur kërkesës së Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi lidhur me ndërprerjen e punimeve te Unaza e Re. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është në kompetencë të Prokurorisë së Tiranës.
Pas kërkesës së LSI për ndërprerjen e punimeve në projektin e Unazës së Re, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një letër, Monika Kryemadhit. “Çështja jo kompetencë e Prokurorisë Përgjithshme, por kompetencë e Prokurorisë së Tiranës”, shkruhet në letër.
“Pavarësisht faktit se kërkesa është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, bazuar në përcaktimet e neneve 74, 75/b, 76 dhe 277 të Kodit të Procedurës Penale, kompetenca lëndore për trajtimin tij nuk i takon kësaj zyre, por Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, shkruhet në letër.
Kryetarja e LSI, Kryemadhi pak ditë më parë kërkonte nga kryeprokurorja, Arta Marku pezullimin e punimeve në të gjithë projektin e Unazës së Re deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të kësaj çështjeje. j.p/























