Ballina Aktualitet

Reforma territoriale, këshilli i bashkisë Mat dakord për bashkimin me Klosin

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Këshilli i Bashkisë Mat miratoi me 14 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim mendimin për reformën territoriale.

Pas përmbylljes së dëgjesave publike në 8 njësitë administrative, Këshilli i Bashkisë Mat zhvilloi këtë të hënë një mbledhje jashtë radhe ku mes disa pikave ishte edhe ajo për reformën administrative territoriale.

Siç raporton Top Channel, 20 këshilltarë nga 21 që janë gjithsej ishin të pranishëm në këtë mbledhje ku u diskutua projekt-drafti për reformën administrative territoriale 2.0 të propozuar nga mazhoranca. Këshilltarët dhanë mendimin e tyre në lidhje me propozimin e mazhorancës i cili parashikon që Bashkia Klos të mos jetë më njësi e vetëqeverisjes vendore por t’i bashkohet Bashkisë së Matit.

Pas fjalës së mbajtur nga një pjesë e madhe e këshilltarëve të pranishëm në këtë mbledhje, kjo pikë e rendit të ditës u kalua në votim. 14 këshilltarë votuan pro draftit të propozuar nga mazhoranca, 5 këshilltarë votuan kundër dhe një abstenim.

Këshilli Bashkiak Mat dhe kryetari i Bashkisë do të dorëzojnë pranë Kuvendit mendimin e tyre në lidhje me bashkimin e bashkive Mat e Klos në një të vetme, ndërsa drafti final pritet të kalojë në parlament për votim me datë 8 Tetor.

/m.q/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE drejt heqjes së sanksioneve ndaj oligarkëve rusë Usmanov dhe Fridman
Artikulli tjetërVijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë