TIRANË, 17 dhjetor /ATSH- I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se PD është kundër Ligjit të Arsimit të Lartë dhe mbështet protestën e studentëve.
Në një prononcim për mediet, Basha tha se Partia Demokratike e mbështet me të gjitha format dhe mënyrat protestën. “Natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Njerëzit tanë, fëmijët tanë, i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat. Prindërit janë atje për t’i mbështetur”, tha ai.
Duke iu drejtuar qeverisë Basha tha: “Plotëso 8 kërkesat, plotëso 8 kërkesat një orë e më parë. Ne i mbështesim studentët dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha format dhe mjetet”.
“Bijtë e shqiptarëve janë në protestë, studentët janë në protestë, kanë kërkesa legjitime dhe ne i mbështesim. Ne jemi kundër ligjit për arsimin e lartë”, tha ai.
Basha shtoi se ky është momenti të jemi të gjithë bashkë, pavarësisht bindjeve politike.
“Të gjithë qytetarët të bashkohen me studentët, të bashkohen me protestën e tyre të drejtë, t’i mbështesin ata siç i mbështesim ne. Të gjithë qytetarët të bashkohen me studentët, të bashkohen me protestën e tyre të drejtë, të mbështesin kushtet e tyre, njësoj siç i mbështesim ne”, tha Basha. /j.p/












