Ballina Bota

SOFT NEWS – Semaforë me pamjen e Elvis Presley!

FRAJDBERG, 15 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qyteti i Frajdbergut në qendër të Gjermanisë, ka vendosur të krijojë semaforë specialë me pamjen e Elvis Presley, meqenëse mbreti i muzikës rok ka qëndruar në këtë qytet kur ka shërbyer në ushtrinë amerikane.

“Të dizenjuar nga një artist grafik dhe të vendosur në Sheshin Elvis Presley, drita e kuqe tregon Elvisin në mikrofon, ndërsa ajo e gjelbër tregon lëvizjen ikonike ‘hip-swing’ të tij”, shkruan e përditshmja “Wetterauer Zeitung”.

Presley ka qenë në Frajdberg si pjesë e forcave GI, në veri të Frankfurit, nga tetori 1958 në mars 1960. Ai qëndroi në qytetin fqinj të Bed Nohajmit.

“Mbreti i Rock and Roll” vazhdon të jetë shumë i pëlqyer në rajon. Të dyja qytetet kanë klube fansash të Elvis Presley, të cilët vazhdojnë të ndezin qirinj, të vendosin lule dhe dhurata të vogla në kujtim të idhullit të tyre përreth Bed Nohajmit.

Qyteti pret gjithashtu Festivalin Europian të Elvisit.

Madje, është planifikuar gjithashtu që të ngrihet një statujë bronzi në kujtimin e tij në një urë në Bed Nohajm. /G.S/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë/ AZHB: Makineritë bujqësore pa numër serial, nuk rimbursohen
Artikulli tjetër“Tirana Mahnia” e Rezarta Delisulës, thesar i vlerave i kryeqytetit të të gjithëve