Ballina Aktualitet

Një shembull për t’u marrë nga të gjithë, historia e Denisit që u punësua nga platforma e bashkëqeverisjes

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/202623503984643/

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Platforma e bashkëqeverisjes është një mekanizëm që u vjen në ndihmë edhe personave me aftësi të kufizuar.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një shembull suksesi të funksionimit të kësaj platforme, përmes së cilës një 26-vjeçar me aftësi të kufizuar u punësua në Bashkinë e Përrenjasit.

“Mirëmëngjes dhe me historinë prekëse të Denisit, i cili falë edhe mbështetjes nga Bashkia e Prrenjasit, pasi shkruajti në Platformën e Bashkëqeverisjes është sot një shembull për t’u marrë nga të gjithë, ju uroj një fundjavë të qetë”, thotë Rama.

Denis Hoxholli, 26 vjeç nga Përrenjasi ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Elbasanit. Ai ka lindur me një disfunksion në duar, që ia ka vështirësuar jetën, duke u paragjykuar që në ditën e parë të shkollës.

“Duhet ta pranoj se jam ndryshe. Mësuesja nuk ka dashur të më pranojë në shkollë për faktin se kush do të më mësojë të shkruaj. Familja ime bëri shumë sakrificë, babi im më mbante dorën që të shkruaja dhe shkrimi im atëherë ka qenë një ndër më të veçantët. Pasi mbarova studimet e larta e ndieja si detyrë për veten time, që jo gjithmonë prindërit të më mbanin e ushqenin”, shprehet ai.

Denisi thekson se ka bërë aplikime kudo për t’u punësuar si në sektorin publik dhe në atë privat, dhe nuk ka marrë as edhe një përgjigje qoftë edhe negative.

Ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes duke kërkuar ndihmë për t’u punësuar dhe mori përgjigje brenda dy ditëve.

Tani Denisi punon në Bashkinë e Përrenjasit si specialist për personat me aftësi të kufizuar.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFMN mbështetje reformave të ndërmarra nga Administrata Tatimore
Artikulli tjetërAgjencia e Pronës: 180 pronarët që përfitojnë 1.6 mln euro kompensim