TIRANË, 16 nëntor /ATSH/- Tre janë masat (ose sektorët) që mbështet Programi IPARD II për bujqësinë.
Financimi total i këtij programi për thirrjen e parë kap vlerën 50.3 milionë euro, nga të cilat 21.6 milionë euro janë për masën e parë, (investime në fermë) 20.3 milionë euro për masën e dytë (investime për përpunimin dhe tregtimin) dhe 8 milionë euro për diversifikimin rural.
Grigor Gjeçi, drejtori i Politikave Zhvillimore në dikasterin e Bujqësisë tha në një intervistë për ATSH-në se masat e financimit janë: Investime në fermë, me një minimum prej 10 000 EURO dhe maksimum 500 000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.
Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me një minimum prej 25 000 EURO dhe maksimum 2 000 000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat, me një minimum prej 10 000 EURO, maksimumi 400 00 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Programi IPARD II i konsideruar si një mundësi e artë për fermerët sikurse është njoftuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pritet të ketë hapjen e thirrjes së parë për të paktën dy muaj. Kjo do të thotë se nga data 30 nëntor deri në 30 janar 2019 pranë zyrës së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mund të dorëzohen aplikimet për të përfituar nga masat e përcaktuara. e.xh/e.caushi/























