TIRANË,12 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Banorët e zonës së “Astirit” në kryeqytet, banesat e të cilëve preken nga projekti i zgjerimit të “Unazës së Madhe”, protestuan sot përpara bashkisë së Tiranës.
Banesat në “Unazën e Re” janë ndërtuar pas viteve ’90 dhe sot banorët kërkuan takim me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Bashkë me protestuesit të cilët deklarojnë se nuk do lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit, ishin edhe deputetët e Partisë Demokratike. Protesta e banorëve solli edhe një paralizim në trafikut në qytet ku me qindra automjete, autobusë të transportit urban si dhe makina të urgjencës u gjendën të bllokuara për më shumë se 2 orë.

Pas protestës, zëdhënësja e PD, doli në një deklaratë për mediet, ku akuzon për heshtje pushtetin vendor dhe qendror për protestën e mbi 2 mijë banorëve.
Në një deklaratë për mediat, Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike shprehet se “heshtja për protestën prej 10 ditësh mbi 2 mijë banorë tek Unaza e Re tregon se ata kanë vënë në jetë një skemë korruptive me vlerë 40 milionë euro”.
Po ashtu, Zhupa shton se “përfituesit kryesore nga projekti, bashkimi i kompanive DH Albania dhe Biba X janë të dyja me probleme. Kompania DH Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e 15 ditë para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë Dunwell Haberman ltd”.
“Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet si parajsë fiskale. Kompania Biba X, ka qenë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike”, shprehet Zhupa. /a.g/





















