Ballina Bota

HAPËSIRË – Miliarderët në garë hapësinore, Bezos lëshon raketën “Blue Origin”

FLORIDA, 16 janar /ATSH-AA/ – Kompania “Blue Origin” e miliarderit Jeff Bezos këtë mëngjes shënoi një arritje historike në industrinë e lëshimit të satelitëve me fluturimin e parë të suksesshëm të raketës së saj New Glenn.

Raketa u lançua nga Florida dhe e njëjta është emëruar sipas astronautit John Glenn.

Shefi ekzekutiv i “Blue Origin”, Dave Limp, përmes një postimi në X bëri njoftoi suksesin e arritur.

Ndërkohë, edhe kompania “Blue Origin” përmes një postimi në X njoftoi se “New Glenn ka kaluar vijën Kármán, kufirin e njohur ndërkombëtarisht të hapësirës”.

Ky fluturim i pritur me padurim shënon hapin e parë të kompanisë për të sfiduar dominimin e kompanisë SpaceX në industrinë e hapësirës.

“Konfirmohet ndërprerja e motorit në fazën e dytë. Faza e dytë dhe ngarkesa e raketës New Glenn janë tani në orbitë”, shtoi kompania.

Faza e dytë, që është pjesa e sipërme e raketës, aktivizohet pasi të ndahet faza e parë, duke vazhduar udhëtimin në hapësirë.

Raketa New Glenn, e pajisur me një pjesë të ripërdorshme, u ngrit nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral, pas disa vonesave në fillim të javës.

Ambicia e miliarderit Bezos për të konkurruar me manjatin amerikan të biznesit, Elon Musk, i cili themeloi kompaninë SpaceX, mbështetet shumë në teknologjinë e ripërdorshme.

Pjesa e poshtme e raketës, e cila mund të përdoret sërish, strehon rezervuarët e karburantit dhe siguron shtytjen fillestare për ta çuar raketën në qiell. Ndryshe nga raketat tradicionale, kjo pjesë është projektuar për t’u kthyer në mënyrë të sigurt në Tokë për ripërdorim.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPragë – Hoxha me homologun çek, thellohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë
Artikulli tjetërRezidenca artistike “Vila 31 x Art Explora”, Suard: E përfshin Tiranën në rrjetin e platformave të artit bashkëkohor